Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në pompën e derivateve ‘Delta Group’ në fshatin Brekoc në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda dhe kanë arritur që t’i vjedhin mijëra euro, që ndodheshin në arkën e pompës.
Sipas informacioneve të para, shuma e parave që dyshohet se është vjedhur është 10 mijë euro – informacion ky që pritet të konfirmohet pasi ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i pompës, që e denoncoi rastin, i cili ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur.
Lajmin është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë, me ç’rast është bërë e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar “Vjedhje e rëndë”.
Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë edhe nga kompania, por drejtori menaxhues nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.