Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset. Dyqanet në Kosovë janë shumë shpesh cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, e që të njëjtit më pas arrijnë që për një kohë të arratisen nga drejtësia,
Kështu ka ndodhur edhe në një biznes në rrugën “Gaspër Karaqi” në Gjakovë, ku nga depoja janë vjedhur mallra të ndryshme (veshmbathje, bizhuteri, gjësende të ndryshme shtëpiakë etj.) në vlerë rreth 100 mijë eurove.
Policia ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve është arritur të identifikohen dhe të arrestohen dy të dyshuar:
D. T., i lindur në vitin 2000, shtetas i Republikës së Kosovës dhe
Q. L., i lindur në vitin 1990, shtetas i Republikës së Kosovës
“Lidhur me rastin, në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, është kryer kontroll në një objekt biznesi po ashtu në rrugën “Gaspër Karaqi”, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa pako me mallra të ndryshëm të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundër ligjshme me rastin e kryerjes se veprës penale të raportuar.
Të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, me vendimin e të cilit të dyshuarit, pasi që janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës, me aktvendim, janë dërguar në mbajtje, ndërsa mallrat e sekuestruar iu janë kthyer pronarit.”