Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet e grabitjes, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane.
Një vjedhje e rëndë është raportuar mëngjesin e sotëm në ordinancën private të stomatologjisë ‘Leon Dent’ në rrugën ‘Papa Klimenti’ në Pejë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda ordinancës me anë të forcës dhe kanë arritur që të vjedhin disa pajisje dentare në vlerë të rreth 40 mijë eurove.
Pronari i ‘Leon Dent’ ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka bërë me dije se në mesin e gjësendeve të vjedhura është edhe kuleta e tij.
Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.