Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se pas 4 majit, kur shpreson se do përmirësohet situata e krijuar nga COVID-19, do të fillojnë fazat për kthimin në normalitet.
Por, sipas tij, përmirësimi i situatës do të arrihet vetëm me respektimin e masave të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Më 4 maj ne shpresojmë se do të ndalim ciklin e rritjes së numrit të të infektuarve. Ne kemi parë disa shtete si model, dhe kemi pasur fat që kemi marrë disa masa në fillim duke i mbyllur shkollat që ka pasur efekt. Kjo na ka ndihmuar shumë që të menaxhohet situata më mirë…Ne shpresojmë që nëse respektohen këto mase, deri me datën 4 maj do të jemi edhe ne në pozitë të tilla, dhe pas kësaj date të kthehemi në një normalitet të ri”, ka thënë Vitia.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë thotë se në ministrinë që ai udhëheq janë duke punuar disa grupe teknike për rikthimin me faza në normalitet.
“Akoma në MSH janë grupet teknike që janë duke punuar në ‘rikthimit të mençur’. Do të jenë disa faza të cilat do të bëhen pas katër majit. Por, të gjitha këto nuk do të mund të themi se mund të fillojnë më katër maj nëse nuk do të respektohen masat e qeverisë. Jemi duke punuar me ministritë e tjera për masat që do të merren për ‘rikthimit të mençur’. Ne jemi në fazat e para të “kthimit të mençur”. Më 4 maj besojmë se një pjesë e bizneseve mund të hapen, por që nuk rrezikojnë me përhapjen e sëmundjes e ndoshta më 20 për qind të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.