Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë sot se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për herë të parë 300 vaksina të HPV-së, e cila parandalon dhjetëra infeksione të cilët rrisin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës te vajzat dhe gratë.
Në raportim para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, ministri Vitia ka thënë se vaksina e HPV-së do të përfshihet në planin e rregullt të vaksinimit.
“Sa i përket vaksinimit të rregullt, janë siguruar për herë të parë 300 vaksina të HPV-së, dhe plani i ri i vaksinimit të rregullt do të përfshijë edhe këtë vaksinë në mesin e vaksinave të rregullta si një hap më tej drejt mbrojtjes së vajzave të reja nga kanceri i qafës së mitrës”, tha ai të martën.
Vitia, para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, theksoi se në mesin e të arriturave të Ministrisë së Shëndetësisë janë edhe pajisjet bazike për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të cilat janë shpërndarë në 26 komuna të vendit.
Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar me sukses barnat esenciale për spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare në vend.