Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Arben Vitia, priti sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett.
Në këtë takim, ai e njoftoi Ambasadorin amerikan lidhur me masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë për menaxhimin e situatës epidemiologjike në Kosovë lidhur me Koronavirusin Covid -19.
Vitia gjithashtu e njoftoi për masat e reja shtesë të cilat Qeveria pritet t’i ndërmarrë në funksion të parandalimit të përhapjes së Covid-19 në Kosovë.
I pari i Shëndetësisë në Kosovë e falënderoi Ambasadën e SHBA në Kosovë për mbështetjen e vazhduar në këtë situatë të ndjeshme në të cilën ndodhet vendi ynë si dhe vendet e tjera të cilat po ballafaqohen me këtë virus.
Nga ana e tij, diplomati amerikan uroi profesionistët shëndetësorë të Kosovës për guximin dhe efikasitetin, nënvizoi rëndësinë e asaj që publiku të ndjekë udhëzimet nga Ministria për mbrojtjen e familjeve dhe bashkësive, dhe foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndëkombëtar në tejkalimin e sfidës së COVID-19.