Vitia: Edhe tre pacientë me Covid-19 janë në gjendje kritike

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i ka shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të gruas nga Malisheva e cila ndërroi jetë sot si pasojë e koronavirusit, transmeton .

Vitia me anë të një postimi në rrjetin social Facebooj ka bërë të ditur se në gjendje kritike janë edhe tre pacientë të tjerë.

Postimi i plotë i Vitisë:

Shumë të dashur bashkëqytetarë të vendit tonë

Të nderuara gra e vajza, djem e burra të Republikës sonë

Sonte në betejë me virusin corona e humbëm dhe një paciente, grua, nënë, motër, qytetare e jona.

Ngushëllime familjes dhe të afërmeve të tyre me pikëllim.

Mjekët e infermierët, laborantët e epidemiologët janë duke bërë gjithçka që ka kapacitet qenia njerëzore për të shpëtuar jetë.

Por edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike e në rrezik të lartë.

Çdonjeri prej jush ka shumë detyrime në jetë. Prej atyre që nuk e ndalin dot punën e deri tek ata/ato që furnizojnë dhe i shërbejnë familjes. Ju mirëkuptojmë pa dyshim por ju thërrasim për kujdes të JASHTËZAKONSHËM kur dilni dhe kur ktheheni në shtëpi.

Ju lutem!

ZERO mirëkuptim për këdo që këto ditë të vështira, po del nëpër qytet a fshat pa arsye madhore, për ata që po i vijojnë vizitat si mysafirë tek te afërmit, apo ata të cilët praktikisht po e lenë në bast jetën e tyre dhe të familjes së tyre.

Le të mos luajmë me rrezikun e cenimit të shëndetit personal e kolektiv. Mbrojtja e jetës është detyrë mbi detyrat. Nuk na falet që me shkujdesje ta cenojmë.

QËNDRONI NË SHTËPI