Viti i ri shkollor nuk do të fillojë as me 13 Shtator.
Këtë e ka konfirmuar vetëm para pak çastesh, ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci,
Nagavci përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se si institucion i kanë bërë të gjitha përgatitjet, por që rekomandimet e IKSHPK-së janë që këto masa të vazhdohen edhe më tutje.
Më poshtë edhe postimi i plotë i saj.
Të dashur punëtorë të arsimit, të nderuar prindër.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bashkë me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
Është rishikuar dhe publikuar “Udhëzuesi për organizimin e mësimit për vitin shkollor 2021/2022 në kushtet e Pandemisë COVID-19” dhe i njëjti është dërguar edhe në drejtoritë komunale të arsimit.
Udhëzuesi, mundëson organizimin e mësimit sipas kushteve epidemiologjike në vend duke përfshirë edhe kushtet e rihapjes së institucioneve edukativo-arsimore me masa të shtuara për shëndetin publik, kushte të mbylljes së pjesshme apo kushte të mbylljes së plotë për shkak të rrezikshmërisë së shëndetit nga COVID-19.
Po ashtu, janë shpërndarë tekstet shkollore si dhe janë përgatitur shkollat për fillimin e procesit mësimor. Siç e kemi thënë edhe më herët, synimi ynë është që institucionet shkollore të hapen sa më parë dhe mësimi të realizohet me prezencë fizike.
Megjithatë, në takimin e fundit me Ministrin e Shëndetësisë dhe përfaqësues kompetent, u njoftova se rekomandimet e fundit të profesionistëve shëndetësor, sipas raportit të sotëm të IKSHP-së, janë që të vazhdohet me të njëjtat masa edhe për një periudhë të caktuar, deri në përmirësimin e situatës me pandeminë dhe rivlerësimin e masave. Natyrisht se ne do të respektojmë rekomandimet e profesionistëve shëndetësor dhe vendimi përfundimtar për këtë çështje, do të vendoset në mbledhjen e rradhës së Qeverisë.
Të gjithë jemi dëshmitarë se varianti Delta po shpërndahet shumë më shpejt sesa versionet e mëhershme dhe po transmetohet e po prek edhe moshat e hershme, andaj duhet të respektijmë në përpikmëri të gjitha rekomandimet e masat dhe të sigurohemi se rikthimi i fëmijëve në shkolla të jetë i sigurtë.
Sii ministre e Arsimit përgëzoj të gjithë mësimdhënësit dhe stafin tjetër të shkollave, që janë vaksinuar tashmë dhe u bëj thirrje për vaksinim jo vetëm atyre punëtorëve të arsimit të cilët deri tash nuk janë vaksinuar, por edhe prindërve, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sepse vetëm kështu ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve.
#Vaksinohu, #respektomasat #shkollatësigurta