Vetëvendosje shpall garën për kandidatin për kryeministër, a do të lejojë Albin Kurti befasi

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar sot se ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryeministër për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Ndonëse dihet se Kurti do të jetë kandidat, mbetet të shihet se nëse do të ketë ‘befasi’ në këtë garë të brendshme partiake.

Për këtë pozitë mund të aplikojnë të gjithë anëtarët e LVV-së, të cilët duhet të dorëzojnë deklaratën e kandidaturës dhe dokumentacion shoqërues nga sot deri më 8 dhjetor.

“Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për Kryeministër për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje, përkitazi me kriteret e përcaktuara statutore, duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 4.12.2024 deri me datë 8.12.2024 pranë KZP (Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm)”, thuhet në njoftim.