Pas përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se partitë politike po provojnë të manipulojnë me zgjedhje. Sipas tyre, procesi i përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv ka rrjedhur me shumë shkelje ligjore.
Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se me këto veprime është thyer parimi ligjor i sigurisë juridike.
Ka pasur një marrëveshje paraprake për një kandidat të caktuar nga përfaqësuesit politik të koalicionit, LDK, AAK , Nisma, Lista Serbe, me ndihmën e PDK-së kanë përzgjedhur një person, pa lejuar që të krijohet një panel prej pesë anëtarëve siç e ka paraparë udhëzimi administrativ që është ndryshuar për këtë arsye, panel është bërë e tërë KQZ, dhe gjithë anëtarët e KQZ-së i propozojnë vetvetes një kandidat dhe shihet hapur pse ka ngjarë kjo. Kjo është një mënyrë jashtëzakonisht e dëmshme dhe e rrezikshme e veprimit edhe të KQZ-së edhe partive politike. Është thyer parimi kryesor ligjor juridik, siguria juridike, nuk ndryshohet rregullat e lojës pasi të fillojë loja, për interesa të personave të caktuar, individëve të caktuar apo partive të caktuara”, shtoi Kurteshi.
Ai tha se nga këto parti, ka përpjekje që t’i zaptojnë të gjitha pozitat në ndërmarrjet publike.
Alim Rama, anëtar i Vetëvendosjes në KQZ, ka thënë se në këtë mënyrë po bëhen përgatitje për të manipuluar zgjedhjet.
“Kjo nuk ka qenë thjeshtë sa për të siguruar kandidatin e preferuar të tyre, kjo shkon me arsye të tjera. Duhet ta kuptojmë cili është roli i kryeshefit ekzekutiv, roli i kryeshefit ekzekutiv është përgjegjësi kryesor për organizimin e zgjedhjeve. Nëse e ke zgjedhë kryeshefin në mënyrën jo të rregullt ose me marrëveshje, atëherë kjo është përgatitje për manipulimin e zgjedhjeve. Kjo është brenga kryesorë, se ka pasur shkelje të ndryshme, persona jo adekuat ose në mënyrë jo të rregullt janë vendosur në pozita të caktuara, por këtu ka të bëjë thjeshtë për manipulim të zgjedhjeve dhe ky është rreziku kryesor”, tha ai.
Procesi i përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nisur më 16 qershor dhe ka përfunduar më 24 shtator ku si kryeshef ekzekutiv i KQZ-së është zgjedhur Burim Ahmetaj i cili ka qenë shef i Qendrës për Numërimin e Rezultateve.