Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se partia që ai udhëheq do të iniciojë javën e ardhshme një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën thotë se duhet të miratohet një pako e veprimeve ekonomike dhe financiare që ndihmojnë sektorin privat gjatë ballafaqimit me pandeminë.
Lideri i opozitës njoftoi për seancën pas një takimi që e zhvilloi sot me kryetarët e odave ekonomike, për të cilët tha se kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në sektorin privat.
“Shqetësimet e ndërmarrësve, janë shqetësime të thella të mbi 70 mijë ndërmarrësve, rreth 280 mijë punëtorëve të sektorit privat të cilët po rrezikohen, po rrezikohet veprimtaria e këtyre ndërmarrësve, po rrezikohen pagat e 280 mijë familjeve në Republikën e Kosovës . Ne nuk do të rrimë duarkryq. PDK do të ndërmarrë hapat konkret për tejkalimin e kësaj situate. Hapat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës nuk janë të mjaftueshëm për faktin se janë shumë sipërfaqësore, nuk u përgjigjen kërkesave të sektorit privat i cili në fakt e mbush arkën e shtetit, përmes së cilës mbahet gjithë jeta ekonomike, politike, sociale, kulturore në Republikën e Kosovës dhe në të njëjtën kohë veprimet që është duke i ndërmarrë Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri janë jashtë ligjore”, tha ai.
Derisa u premtoi punëtorëve të këtij sektori përkrahje, duke shprehur mirënjohur për punën e tyre.
“Qëndroni të fuqishëm, do ta keni përkrahjen tonë, ju e keni mbajtur shtetin tonë, e keni zhvilluar, e keni ngritur ushtrinë, policinë, sektorin shëndetësor, arsimin. Ne do të jemi me ju, jemi shumë falënderues për kontributin e juaj 21 vjeçar”, tha ai.