Lidhur me marrëveshjen e publikuar sot nga zyra ligjore e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për marrëveshjen të cilësuar sekrete mes presidentit Hashim Thaçi e NATO-s për FSK-në, ka reaguar edhe kreu opozitar Kadri Veseli.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në faqen e tij në Facebook thotë se është shumë shqetësuese që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës.
“Është shqetësues fakti që për herë të parë një Kryeministër i Kosovës i cilëson marrëveshjet me NATO-n në kundërshtim me interesat e Kosovës. Gjatë luftës sonë çlirimtare, kam qenë vetë dëshmitar i veprimeve të kësaj Aleance, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ne, në interes të Kosovës, çlirimit të vendit tonë dhe kthimit të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre. Qëllimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe jo largimi i tyre nga cilido cep i Kosovës. Sot, sovraniteti i Kosovës nuk rrezikohet nga NATO dhe marrëveshjet me NATO-n, por nga agresiviteti dhe kërcënimet e Serbisë. NATO është garanci e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës”, përfundon Veseli.