Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të reja kufizuese për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.
Qeveria ka bërë të ditur se mbyllja fillon nga sonte në ora 20:00 e deri të hënën në orën 05:00, megjithatë lëvizja e qytetarëve nuk është kufizuar, transmeton Telegrafi.
Në vendimin e Qeverisë thuhet se “Ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00”.
Ndërkaq, të drejt pune kanë:
-Furrat e bukës, barnatoret, marketet e vogla, pompat e derivateve.
-Institucionet shëndetësore publike dhe private për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
-Për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhimin e COVID 19 (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal në sektorët e shëndetësisë, sigurisë dhe administratës shtetërore).
-Operatorët ekonomik dhe transporti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e furnizimit.
Ndryshe, në 24-orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 728 raste të reja, derisa numri i viktimave ka arritur në 732./Telegrafi/