Qeveria e Kosovës mbrëmë ka marrë vendim për masat e reja të cilat kanë hyrë në fuqi sot e që kanë të bëjnë me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në tërë vendin për shkak të përhapjes së virusit COVID-19.
Sipas vendimit, ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga 24 mars 2020 gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale si ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë apo shpezë, dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë si menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore.
Pika dy e këtij vendimi mundëson qarkullimin e lirë për operatorët ekonomikë të klasifikuara si me të rëndësishme sipas kodeve NACE që Ministria e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike lejon të operojnë në këtë periudhë emergjente lidhur me pandeminë COVID -19, si dhe transporti i lirë i mallrave apo shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit.
Në pikën tre të vendimit thuhet se lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.
Pika e katërt ndalon tubimet në të gjitha mjediset – private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura – përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët.
Në rast të vdekjeve, sipas këtij vendimi, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit.
Kundër këtij vendimi kanë dalë kundër të gjitha partitë opozitare, përfshirë edhe kryet arin e LDK-së, Isa Mustafa, si dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, me këtë të fundit që ka paralajmëruar se të njëjtin do ta dërgojë në Kushtetuese pasi e vlerëson si vendim antikushtetues.