I dënuari për dy raste të shitblerjes dhe shpërndarjes së drogës që ka qenë në kërkim policor qe një kohë ka përfunduar në prangat e Policisë. I arrestuar në aksionin ku u kapën 18 kilogramë drogë në vitin 2023, 42-vjeçari ishte shpallur fajtor dhe dënuar për dy raste, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Vehbi Krasniqi, me të kaluar kriminale tashmë do të vuajë dënimin me burgim.
Krasniqi – i arrestuar në aksionin e 16 janarit të vitit 2023, si vazhdimësi e operacionit policor të koduar ‘Peshorja’, u ndalua pasi Policia gjeti dhe sekuestroi mbi 18 kg drogë, të llojit marihuanë.
Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe vëllai i tij Vetoni dhe Selman Selmani.
Ndaj Vehbi Krasniqit kanë qenë aktive dy urdhëresa, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Në njërin rast ai është dënuar me 2 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa në rastin tjetër me mbi 6 muaj burgim.