Para dy ditësh ka vdekur një grua 74-vjeçare nga fshati Bradash i Podujevës, mirëpo ajo sot ka rezultuar se ka qenë e infektuar me koronavirus.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar infektologia, Bedria Rama e cila ka thënë se e ndjera kishte pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
Sipas saj, janë 65 raste aktive me koronavirus në Podujevë, prej tyre shtatë persona janë të shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK.
“65 raste janë aktive. Në Klinikën Infektive janë shtatë persona të shtrirë. Sot janë konfirmuar tri raste pozitive, janë të fshatrave. Një rast është i Bradashit, ku ka vdekur para dy ditësh, por rezultati është konfirmuar sot, ka qenë edhe me sëmundje të rënda shoqëruese, mirëpo edhe me koronavirus”, ka thënë Rama për Gazetën Sinjali.
Rama ka theksuar se kanë mungesë të testeve për koronavirus, pasi sipas saj kohëve të fundit janë duke i bërë vetëm 10 teste në ditë.
“Në Podujevë janë testuar 20-25 persona për koronavirus, por kohëve të fundit 10, pasi nuk po kemi teste”, tha ajo.