Në seancën e rishqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve Arton dhe Nezir Duraku, për shkaktimin e aksidentit me fatalitet dhe mosdhënien e ndihmës viktimës F.Sh., eksperti mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu tha se viktima kishte humbur afërsisht 2.1 litër gjak, ku ka shkaktuar shok hemorragjik.
Eksperti Gërxhaliu, tha se ekspertiza mjekoligjore ka dy përgjigje, shkakun e vdekjes dhe mënyrën e vdekjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në rastin konkret ai tha se sipas informatave preliminare, në atë aksident rrugor raporti nga vendi i ngjarjes sa i përket hetuesve mjekësor nuk ishte bërë, por në autopsi theksoi se kanë gjetur dëmtime të cilat konsistojnë në veprimin e peshës inertive të trupit, që sipas tij përputhet në gjendjen në brendësi të veturës.
Ai shtoi se në autopsi kanë vrojtuar se ana e majtë e brinjëve është thyerje serike 1 deri në 10, si dhe klavikula apo kularthi i majtë gjithashtu i thyer, dhe se në anën e majtë kanë gjetur 1400 mililitra gjak të lirë në kavitetin e kafazit të kraharorit, kurse në anën e djathtë 600 mililitra gjak si dhe rukturë të shprektës dhe mëlçisë.
“Në mjekësi kjo kualifikohet si shok hemorragjik, i cili vije si pasojë e derdhjes së sasisë së madhe të gjakut apo daljes së gjakut nga vazat e saja. Meqenëse pesë standardet operative ligjore e parashohin që derdhja e 1/3 të sasisë së gjakut është e rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit e që ajo nënkupton rreth 1500 mililitra gjak. Atëherë duke marrë parasysh që sasia minimale e gjakut të derdhur është mbi 2.1 litër, atëherë edhe kjo është shkaktari i cili ka sjell deri tek vdekja e tani të ndjerit F.Sh,”, tha eksperti Gërxhaliu.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Arton Duraku ,avokatit Shefqet Ibrahimaj, se a kishte ardhur vdekja e viktimës nga mosdhënia e ndihmës, eksperti tha se humbja e gjakut në sasi prej 1 litër e gjysmë është e rrezikshme për jetën, e në rastin konkret ka pasur 2.1 litër minimum pothuajse, e që sipas tij edhe nëse kishte qenë para sallës së operimit, vështirë do të nxirrej në jetë.
“Lëndimet janë në hapësira të brendshme të trupit dhe këto ndryshime do të ishin të vrojtuara vetëm përmes CT-së dhe rezonancës, pra nuk është ndonjë plagë e hapur e cila vrojtohet dhe nuk ka kurrfarë mundësie të ndihmës në vendin e ngjarjes”, tha eksperti Gërxhaliu.
E që sipas ekspertit as ndihma profesionale dhe as jo profesionale në atë moment nuk kishte pasur asnjë mundësi që ta ndihmoj viktimën në vendin e ngjarjes.
Që në fillim e përshkruam mundësinë e të qenarit gjallë deri në kohën komatoze, 2-3 ka mundur ta lëshoj ndonjë fjalë, mirëpo nuk mund të themi me saktësi se gjakderdhja është shumë e madhe dhe se vdekja është shumë e shpejtë. Nuk e përjashtojë mundësinë”, shtoi eksperti Gerxhaliu.
Pas përfundimit të deklarimit të ekspertit, i dëmtuari Enver Shabaj, kërko që të bëhet ekspertizë e re mjeko-ligjore, pas që sipas tij ishte e pakuptimtë dhe i paformuar raporti i autopsisë.
Mirëpo, një propozim të tillë, e refuzoi kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Shaqë Curri, pasi që i njëjti vlerësoi se raporti i autopsisë për gjykatën dhe përgjigjet e ekspertit përgjatë seancës ishin që qarta lidhur me elementet e veprës penale, që është element diskutimi në këtë çështje penale.
Më pas, me propozim të mbrojtjes seanca e sotme u shty për të vazhduar në një datë tjetër.
Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.
Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.
Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së
Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.
Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së.