Ende nuk dihet se si është infektuar 40-vjeçarja nga Gjakova, e cila bashkë me foshnjën në barkun e saj, vdiqën sot si pasojë e infektimit me COVID -19. Të gjithë personat që kanë pasur kontakt me këtë grua, rrethi i ngushtë i familjes e mjekët e QKUK-së kanë rezultuar negativë në testin me COVID-19. Po ashtu, edhe vetë ajo në dy testimet e para për COVID-19 kishte rezultuar negative. Express në vazhdim ju sjell detaje për gjithë ecurinë e trajtimit që kjo grua ka marrë në institucionet shëndetësore kosovare.
Gruaja nga Gjakova, me inicialet V.P., 40 vjeçe, ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme në Klinikën Infektive të QKUK-së, si pasojë e përballjes me COVID-19. E ndjera kishte qenë shtatzënë në javën e 28-të. Mirëpo, edhe foshnja e saj ka ndërruar jetë. Ky rast e ka çuar në 16 numrin e personave të vdekur nga koronavirusi në Kosovë.
Por deri më tani askush nuk po e di se si kjo grua u prek nga COVID-19.
Gazeta Express e ka trajtuar të gjithë rrugën që kjo zonjë e ka ndjekur për trajtimin e saj. Gjithçka kishte filluar para dhjetë ditëve.
E ndjera V.P. kishte pasur disa komplikime shëndetësore. Në një gjendje jo të mirë shëndetësore kishte shkuar në një klinikë private për t’u kontrolluar. Por nga klinika të ndjerën e kishin referuar që të vizitohet në spitalin rajonal të Gjakovës, “Isa Grezda”. Pas Gjakovës kjo zonjë ishte referuar për Prishtinë, aty ku në tri klinika ishte trajtuar.
Nga Gjakova kjo grua ishte referuar për në Prishtinë me indikacione të tjera shëndetësore dhe jo për koronavirus. Kështu deklaroi për Express drejtori i spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala.
“Zonja ka kërkuar ndihmë fillimisht në një klinikë private, pastaj ka ardhë te ne. Mjekët e kanë referuar atë zonjë për QKUK. Nga spitali ynë ajo nuk ka shkuar si e dyshuar për COVID-19. Por pastaj ka rezultuar me COVID. Ekipi kujdestar ka tregu se zonja në fjalë nga spitali jonë është referu për komplikime të tjera shëndetësore e jo për COVID”, ka deklaruar drejtori i spitalit të Gjakovës “Isa Grezda”, Hilmi Shala.
Gjinekologjia e QKUK-së: Nuk dyshuam se lehona ishte e prekur me Covid-19
Por pas Gjakovës kjo grua është referuar për në Gjinekologjinë e QKUK-së. Aty është kontrolluar nga gjinekologët, por dyshime se zonja në fjalë është prekur nga COVID edhe nga kjo klinikë nuk kanë pasur. Kështu deklaroi për Express, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, dr, Jakup Ismaili.
“Gruaja në fjalë të hënën e javës së kaluar ka ardhur në Klinikën tonë në orët e vona të pasdites, e përcjellë nga një gjinekolog dhe një mami e spitalit të Gjakovës. Është pranuar te ne. Ajo ka qenë në javëne 27-të. Dy lindjet e mëhershme i ka pasë me operacion. Pra prerje cezariane. Ajo ka ardhur te ne një gjendje jo të mirë shëndetësore me turbulencë trunore”, ka sqaruar doktori.
Ai thotë se pacientja në fjalë ishte referuar për në klinikën e Neurologjisë.
“E kemi thirrë pastaj neurologun. Prej Gjinekologjisë, ajo u transferua për në Neurologji. Atje ka kryer disa analiza ku ka qëndrua një ditë. Është kthyer në Emergjencë, aty ku ka rezultuar pozitiv me COVID dhe nga aty ajo është intubuar në Klinikën Infektive”, sqaron ecurinë e trajtimit të kësaj zonje doktori i QKUK-së, Jakup Ismaili.
Megjithatë, ai sqaron se edhe sipas gjinekologëve të QKUK-së nuk kanë pasur asnjë dyshim se kjo grua ishte prekur nga CPVID-19. Dhe se të gjithë personat e stafit të Gjinekologjisë që kanë pasur kontakt me këtë zonjë kanë rezultuar negativ në testimet rreth dyshimeve për prekje me koronavirus.
“Sipas mjekëve tanë, zonja një fjalë nuk ka pasur asnjë simptomë se ishte prekur nga COVID. Ka qenë një shtatzëni e hershme, ne në mënyrë konsulare morëm vendim që shtatzënia të përcillet sepse gjendja e bebes ka qenë e mirë. Pas kontaktit që stafi jonë kanë pasur me këtë grua, e kanë bërë testimin tre gjinekologë dhe një mami, të cilët pas testimit kanë rezultuar negativ”, sqaron tutje drejtori i klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Jakup Ismaili.
Familja e së ndjerës rezultoi negativ me COVID-19
Por, zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ua kanë kryer testimet për dyshime se janë prekur nga koronavirusi, edhe anëtarëve të 40-vjeçares, tashmë të ndjerë. Por të gjithë anëtarët e familjes së ngushtë të kësaj zonje kanë rezultuar negativ. Pra nuk janë prekur nga koronavirusi.
Kështu ka deklaruar për Express, drejtori i Shëndetësisë në Gjakovë, Ferdinand Kolaj.
“Familjarët e zonjës janë të izoluar. Një pjesë e tyre kanë rezultuar negativ fatmirësisht. Rrethi i ngushtë, pra rrethi i parë i zonjës, e cila ka ndërruar jetë ka rezultuar negativ”, ka deklaruar Kolaj për Express.
40-vjeçarja e ndjerë kishte bërë tre testime me dyshimet për COVID-19. Në dy të parat kishte rezultuar negative
Por, përderisa asnjëri nga mjekët kosovarë nuk po arrinte të zbulonte simptoma se e ndjera ishte prekur nga COVID-19, kishin qenë mjekët e Klinikës së Neurologjisë të QKUK-së ata të cilët i kishin pasur dyshimet e para se ajo ishte prekur nga koronavirusi.
Kësaj zonje tashmë të ndjerë i ishin bërë tri testime me dyshimet për koronavirus, dy të parat kishin rezultuar negative. Ndërkohë në testimin e tretë kjo zonjë ishte diagnostikuar si e infektuar me COVID-19. Kështu deklaroi për Express, drejtori i Neurologjisë, Nexhmedin Shala.
“Ajo ka qëndruar te ne për disa orë. I kemi pasë dyshimet tona se ajo ishte prekur me COVID-19. E kemi sugjeruar që t’i bëhet testimi. Në dy testime ka rezultuar negativ, ndërkohë që vetëm në testimin e tretë ka rezultuar pozitive”, ka sqaruar Shala për Express.
Ai tha se tashmë e ndjera kishte shkuar në Klinikë me simptoma të kokëdhimbjes.
Por 14 pjesëtarë të kësaj Klinike pas kontaktit me këtë grua ishin izoluar. Por në testin për koronavirus, sipas drejtorit Nexhmedin Shala, të gjithë kanë rezultuar negativë.
“Të 14 punonjësit e Klinikës tonë kanë rezultuar negativ me COVID-19”, thotë ai.
Kjo është vdekja e 13-të e pacientëve me COVID-19 në Klinikën Infektive dhe e 16-ta në nivel të shtetit