Vazhdon tmerri nga 1shet dhe 2shet false, konfiskohen mbi 850 copa të depozituara në BQK nga bankat

Trendi i parave të falsifikuara ka ‘lulëzuar’ në Kosovë për një kohë të gjatë, ku qindra e mijëra euro false janë vënë përditë në qarkullim. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedhat që më së shumti dalin false janë ato metalike, si 1 dhe 2 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar sot gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ka njoftuar se nga dy banka në vend janë depozituar një shumë e monedhave metalike që dyshohet të jenë false.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për mbi 850 copa monedha prej 1 euro, si dhe disa 2she – para këto që sipas informacioneve të para janë deponuar në periudha të ndryshme.

Si rezultat i denoncimit, monedhat janë konfiskuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti ‘Falsifikim i parasë’.

Si masa preventive për ‘shpëtimin’ nga paratë false, shumë biznese në Kosovë kanë filluar të mos pranojnë pagesa me këto monedha.

Ndryshe, falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.