Zgjidhja e problemit me furnizim të ujit për qytetarët e Klinës ka qenë një nga premtimet e kryetarit Zenun Elezaj dhe mbetet si prioriteti i qeverisjes së tij, për realizimin e të cilit po punohet vazhdimisht.
Komuna e Klinës dhe Qeveria Zvicerane po vazhdojnë ndërtimin e ujësjellësit për 11 fshatra të Klinës, projekt afër 1.5 milion euro.
Ky projekt ka një vlerë prej 1 484 993 euro dhe është një nga projektet më të nevojshme dhe më të mëdha të realizuara në Komunën e Klinës, në kuadër të cilit do të bëhet edhe rehabilitimi i rrjeteve ekzistuese në disa fshatra, kurse në fshatra tjera do të ndërtohet rrjeti i ri.
Në këtë projekt janë të përfshirë 11 fshatra, me rreth 10 000 banorë dhe afër 80 km rrjet të ujësjellësit, 2 stacione pompimi, një rezervuar me vëllim prej 1000 metra kub si dhe tre rezervuar me vëllim prej 100 metra kub, si dhe pjesa elektrike të pompave si dhe pompat.
Fshatrat në të cilat do të ndërtohet apo rehabilitohet rrjeti i ujësjellësit janë: Përqevë, Caravik, Çabiq, Zabergjë, Ujmirë, Doberdol, Rixhevë, Stapanicë, Gllarevë, Gjurgjevik i Madh dhe Stupë.