Vazhdojnë bastisjet policore në rajonin e Zubin Potokut, konfiskohen tri pushkë gjuetie – s’ka të arrestuar

Njësitë e Policisë së Kosovës po vazhdojnë me bastisje nëpër lokacione të ndryshme drejt ndriçimit të rastit, identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar, në lidhje me sulmet e fundit në veri, përfshirë edhe sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Lidhur me këtë, zëvendësdrejtori për veriun e Kosovën, Veton Elshani ka thënë se gjatë bastisjeve të sotme janë konfiskuar tri pushkë gjuetie.

“Kemi konfiskuar tri pushkë gjuetie, por nuk kemi të ndaluar apo të arrestuar”, deklaroi ai.

Elshani tha se kontrollet e terrenit janë realizuar me njësinë policore K-9 edhe me njësitë tjera policore.

Në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varragë të Komunës së Zubin Potokut, në veri të vendit, ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

Autoritet në Kosovë e kanë cilësuar sulm terrorist dhe gishtin e kanë drejtuar nga Serbia.