(“Unë e di, fisi im, ti ende jeton vështirë
dhe jeta s’të jepet si beze e lirë…”- Dritëro Agolli)
Ti, fisi im, orën e mat dy herë
e minutat nuk t’dalin gjashtëdhjetë
sepse java jote nuk i ka shtatë,
as muaji yt nuk i ka tridhjetë ditë.
Qëmoti, fisi im, ti kështu numëron
dhe matematika jote kurrë s’e huq,
mirë e di unë.
KU ME MARRË KOSOVË
Kosovë marr prej të rënëve,
prej plagëve të tyre
që u dhembin ende.
Kosovë marr prej nanës
që pret t’i kthehet djali
në formë ashti
e me shti n’vorr
në gropën e hapur n’gjoks.
Kosovë marr prej prindërve
që s’mund t’u blejnë ilaçe fëmijëve.
Më së shumti Kosovë marr
prej dëshpërimit t’rinisë
që, pos Perëndimit,
s’e merr kush n’punë
pa teserë t’partisë.
Kosovë marr prej Kosovës
kur e prek në ëndërr,
të tërën.
JAM
Jam,
sepse kam tokë,
qiell e zogj.
Kam bjeshkë e mal e det
dhe një lumë
që prej shtratit s’del.
Dhe një varkë
kam përmbi dallgë.
Një shqiponjë,
një zgalem e një nosit.
Jam,
sepse ty të kam