Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, Valmire Krasniqi, ka reaguar ashpër pas shpalljes së kandidaturës së kryetarit të komunës, Zenun Elezaj, për deputet në Kuvendin e Kosovës. Krasniqi e ka cilësuar këtë vendim si një veprim të papërgjegjshëm dhe një fyerje ndaj qytetarëve që ia besuan drejtimin e komunës.
“Kryetari i komunës, ende pa përfunduar mandatin e tij, ka shpallur kandidaturën për deputet në Kuvendin e Kosovës. Ky veprim përbën jo vetëm një shfaqje të papërgjegjësisë, por edhe një fyerje të hapur ndaj qytetarëve që ia besuan drejtimin e komunës,” ka deklaruar Krasniqi.
Sipas saj, ky hap dëshmon se Elezaj ka vendosur ambiciet e tij personale mbi nevojat e qytetarëve, duke lënë pas krahëve një komunë të zhgënjyer dhe me probleme të pazgjidhura.
“Kryetari, që dikur fliste për përkushtimin ndaj qytetarëve, tani duket se i ka harruar ato fjalë. Prioritetet e tij janë zhvendosur nga nevojat e qytetarëve drejt aspiratave të tij për pushtet më të madh,” shtoi ajo.
Krasniqi thekson se Komuna e Klinës ende përballet me sfida të mëdha si rrugë të papërfunduara, shërbime publike të pamjaftueshme dhe një administratë që nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve. Ajo ngre pyetjen nëse një lider që nuk i përmbush detyrimet lokale mund të jetë i besueshëm në një nivel më të lartë përfaqësimi.
“Si mund të ketë moral një lider që braktis përgjegjësitë e tij në mes të rrugës? A mund t’u besohet një personi i tillë përfaqësimi i interesave të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës?” pyeti ajo.
Në përfundim, Krasniqi i bëri thirrje qytetarëve që të kërkojnë llogaridhënie nga liderët e tyre, duke theksuar se politika duhet të jetë një platformë për të shërbyer publikisht, jo një mjet për të avancuar ambiciet personale.
“Derisa qytetarët nuk kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie, do të vazhdojnë të jenë dëshmitarë të kësaj tradhtie ndaj besimit të tyre,” përfundoi Krasniqi.