Një e re nga Prishtina, ditë më parë ishte izoluar në një karantinë në Kliniken Infektive në QKUK pasi ishte dyshuar se është prekur nga koronavirusi.
Blerta Avdili, ka treguar se përveç trjatimit jot ë duhur dhe të pakujdesshëm, në QKUK nuk ka as kushte që të trajtohet ky virus, duke dëshmuar edhe kushtet e tmerrshme që ka ky insitucion.
Ajo thotë se eksperienca e saj në QKUK është dëshmi se kosovarët janë të mbrojtur nga Koronavirusi me fatin e të qenit vendi me më së paku vizitorë në Evropë dhe jo pse institucionet kanë marrë masa.
Ky është shkrimi i plotë i pacientës:
Të enjten e kaluar në ora 19:00 u pranova në QKUK me simptoma të gripit dhe u vendosa në karantinën e spitalit infektiv. Pas një ore mjekja ma mori mostren për testim dhe numrin tim të telefonit, motra Nurie e shkruajti në dorë.
“Jo doktoreshë, kjo qishtu shtihet” – i tregoi Nuria se si futej shkopi i mostrës në epruvetë.
“Aty ku i bëjnë analizat natën nuk punojnë” – ishin fjalët e fundit të doktoreshës me kostum epidemologjik.
Meqenëse do të qëndroja gjithë natën, ia kerkova Nuries që ta ujdiste marrjen e çelsave të makinës, por ajo më tha: “Jo, jepja prej dritares!” Kur i thash për kontaminimin e mundshëm të çelsave që kisha në dorë, ajo ma ktheu: “Po a s’je kanë me ata deri sot?“
Kështu heqa dorë nga ideja për ta pyetur se a nuk do të duhej atëherë, që edhe “ata” të ishin këtu?
“Valla s’kam çka t’baj, qysh pagun n’aeroport, pagun edhe këtu. Qysh menove ti!”
Ironia ishte që derën e karantinës në përdhesë Nuria e mbylli me çels, por dritaren që ishte një metër mbi tokë, nga ku mund të dilja jashtë shumë lehtë, ma la në dispozicion.
Ato ishin të mbuluara kokë-e-këmbë me rroba për epidemi, vetëm se për dallim nga Nuria, doktoresha ishte e pajisur edhe me zyza mbrojtëse. Mua m’i hodhën dy maska te thjeshta mbi një tavolinë të pluhërosur, me copa faculetash letre të ngjitura me një tutkall të panjohur. Letrat ishin të ilustruara pika-pika me myk të zi. Kishte edhe qime njeriu që ia jepnin gjithë sipërfaqes një dozë poezi.
Para se të zhdukej, më tha: “Kur të vijnë le t’i bijnë do banane, edhe diçka t’gjelpt.”
Në derën e dollapit të hekurt dhe përplot plloha të ndryshkut, e gjeta një portret të vizatuar me laps. Nën të ishte i shkruar një emër: Qëndrim Bogaj.
Qëndrimi do bëhej shenjti mbrojtës i qëndresës sime. Në këtë vend të paqëndrueshëm ku as sapun nuk kishte.
Ndytësirat ishin antike. Të gatshme për UNESCO! Qesja ogurzezë e stampuar me shenjën e rrezikut biologjik, vizullonte nën dritën shëndetligë dhe ekonomike. Ulësja e tualetit ishte e thyer. Kutia e letrës së tualetit ishte një guaskë e zbrazët. I gjithë ambienti kishte një koreografi mallkimi. Fillova t’i kuptoj ata bashkëqytetarë, që i kisha paragjykuar në lidhje me solucionet bestytnore. Me të vërtetë, shkenca e bardhë e QKUK-së, ishte petku i një magjie të zezë. Ishte syri i keq në nivel shtetëror.
Kërkova që të më lironin dhe shkova në shtëpi për t’u vetëizoluar. Kalova një natë me koll, ankth dhe ethe. Të nesërmen më telefonoi një doktoreshë tjetër dhe pas shumë poshtë-e-lart probleme të keqmenaxhimit birokratik, u njoftova që rezultati im kishte dalur negativ. Më tha që kisha një grip të thjeshtë.
Në mëngjesin e kësaj dite, të premten e 6 marsit, u mundova ta marr në telefon “shokun” tim Arben Vitinë – por pa sukses!
Doja t’ia kumtoja gjendjen makabre të spitalit të tij. Ishte kjo një detyrë e imja qytetare. Ishte demokracia ime e angazhuar. Një bashkë është e mundshme e vogël. Sepse askush nuk është shumë i/e vogël për ta bërë ndryshimin.
Pastaj e provova MSh-në. U lajmërua një sekretareshë që nuk mund të besonte se unë, një qytetare e thjeshtë, një askushi, kërkoja të flisja me ministrin, sepse Beni, sipas saj, nuk kishte kohë për t’i lexuar imejllat.
Pyetja shtrohet: çka ka më të rëndësishme sesa gjendja e pastërtisë së infektives, ku njeriu duhet të mbyllet për t’u mjekuar, në kohërat e epidemisë se Koronavirusit, për një doktor dhe ministër të shëndetit?
Kur tha sekretaresha: “Hajt provoje edhe qito, mos po t’lajmërohen…” – duke ma dhënë edhe imejllin e prapashtesës @info, pas atij të Mirsad Shkretës, e kuptova se përsëri kisha të bëja me vrimën e zezë të lutjeve të qytetarit, që kurrë nuk bëhen korrespondencë.
Kanë kaluar katër ditë nga kur doktoresha më kishte thënë se duhej t’i mblidhte njëherë 7 mostra, të 7 pacientëve, para se t’i bënte analizat, sepse veç-e-veç, do t’i kushtonte shtetit më shtrenjtë.
Une isha pacienti i 5-të.
Derisa po shkruaj këtë, njëri nga sistemet shëndetësore më të sofistikuara në botë, ai i Italisë, është në kolaps. Aq serioze është situata. Dhe, eksperienca ime është dëshmi që jemi mbrojtur nga Koronavirusi me fatin e të qenit vendi më i pa-vizituar në Evropë.
“Plani i Gadishmërisë dhe Reagimit”, i botuar në Express – ja ku e keni këtu – “përgatitja e infrastrukturës spitalore dhe resurseve profesionale për t’u ballafaquar me raste të dyshimta dhe të konfirmuara…” nuk përputhet me realitetin në terren.
Është farsë shumë e rrezikshme në formë të një teksti të stërgjatë, plot zhargon dhe propagandë, që me anë të thirrjes për njëfarë shëndetësie “participuese”, tenton ta sanitizoj dështakllëkun e shëndetësisë “taksapaguese”.