“Rankimi i Webometrikës së Universiteteve Botërore” është një iniciativë e Cybermetrics Lab, një grup kërkimor që i përket Consejo Superior de Investigaciones Científicas (CSIC), organi më i madh i kërkimit publik në Spanjë.
Kërkimet e tyre në rajon sa u përket universiteteve publike, kanë treguar shifra shqetësuese për universitetet publike, kjo sepse Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tiranës dalin shumë më keq se universitetet tjera të rajonit.
Universiteti i Beogradit duket se i ka punët më së miri, kjo ngase radhitet në vendin e 447-të në radhitjen botërore, pastaj Universiteti i Zagrebit në vendin e 571-të, Universiteti i Sofjes në vendin e 998-të, Universiteti i Sarajevës në vendin e 1679-të, Universiteti i Podgoricës i 1939-i dhe Universiteti i Prishtinës në vendin 3027-të.
Por ka edhe më keq, sepse Universiteti i Tiranës radhitet mbi 700 vende më poshtë se ai i UP-së, kjo sepse është në vendin e 3786-të.
Ndërsa Universiteti i Tetovës e ka gjendjen edhe me të dobët sepse pozicionohet në vendin e 4612-të në botë.
Listën evropiane të universiteteve e udhëheqë Universiteti i Oxford-it në Britani të Madhe ndërsa atë botërore, Universiteti i Harvardit.