​Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

Në muajt e fundit ka filluar të zbritet çmimi i derivateve në Kosovë, mirëpo çmimi i biletave të transportit publik në vend ka mbetur i njëjtë. Biletat e udhëtimit në tërë vendin një vit më parë kishin shënuar ngritje, në kohën kur ishte shtrenjtuar nafta deri 1.90 euro, si rrjedhojë e evazionit rus në Ukrainë.

Udhëtarët nga rajone të ndryshme në Kosovë, thonë se pas uljes së çmimit të naftës duhet të ulet edhe çmimi i biletave, gjersa shtojnë se për udhëtarët studentë, është i papërballueshëm.

Edhe drejtues të shoqatës së naftëtarëve kanë konfirmuar rënie të çmimit të derivateve dhe kanë kërkuar nga të gjitha bizneset dhe operatorët ekonomikë që të reflektojnë në uljen e çmimeve.

Një udhëtar nga Juniku thotë se çmimi i biletës së autobusit nga Juniku në Prishtinë është 5 euro, gjersa thekson se ky çmim është i papërballueshëm për studentët.

“Biletat duhet të ulen, pasi që është ulur edhe çmimi i naftës, për arsye që Kosova është pak vend i vogël dhe ka shumë pak të punësuar… Nga Juniku deri në Prishtinë, bileta është 5 euro. Për disa qytetarë është e papërballueshme, sepse ka shumë studentë që shkojnë nga Juniku në Prishtinë, Pejë dhe varët nga relacioni që është”, u shpreh ai.

Edhe një tjetër thotë se biletat janë të papërballueshme për prindërit që i financojnë fëmijët gjatë studimeve të tyre në vende me distancë të largët.

“Çmimet e biletave, të autobusëve është dashur të lirohen, për arsye se nafta është liruar, benzina është liruar dhe meqenëse është shtrenjtuar atëherë kur është shtrenjtuar dhe nafta, tash le t’i lirojnë dhe këto. Për studentë, 5 euro bileta, nga Peja, Gjakova, të vijnë deri në Prishtinë është shtrenjtë dhe prindi që duhet ta financojë atë fëmijë e ka problem. Ndoshta i ka dy tre fëmijë, në të njëjtën kohë në studime, është e papërballueshme”, theksoi ai.

“Kanë thënë që pasi është ngritur çmimi i naftës, janë ngritur dhe biletat dhe tashmë meqë është zvogëluar çmimi i naftës duhet të zvogëlohet edhe çmimi i biletave”, tha ai për kp.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve Fadil Berjani, thotë se brenda afatit kohor ka rënie të derivateve për 0,65 centë dhe thekson se pas uljes së çmimit të derivateve duhet të ulet edhe çmimi i biletave të autobusëve.