Nuk janë të pakët mjekët kosovarë, të cilët kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në profesionin e tyre dhe jashtë vendit. Njëri ndër ta është dhe Dr.Franë Marleku nga Klina, i cili në Zagreb të Kroacisë punon si specialist i radiologjisë në Qendrën Klinike “Motrat e Mëshirës”, në Poliklinikën “Peric-Stanicic”.
Vitin që shkoi ai mori çmimin si doktori më i mirë. Këtë çmim e mori bazuar në vlerësimin e pacientëve.
Marleku i cili është specialist i radiologjisë dhe nën specialist i Ultrazërit, në një intervistë për “IndeksOnline“, thotë se ndihet i nderuar, pasi që çmohet e vlerësohet nga pacientët e klinikës, në të cilën ai punon tash e sa vite. Madje thotë çmime si këto i bënë më të veçantë vet fakti që një mjek shqiptar vlerësohet për punën e tij, në një shtet të huaj.
” Pacientet ishin ata që me vlerësuan dhe Spitali është Motrat Bëmirëse, është spital klinik, për nga madhësia është i dyti në Kroaci dhe si i tillë është spital i madh dhe ka një numër të madh të pacientëve”, thotë ai.
Me gjithë problemet me të cilat përballet shëndetësia kosovare, Marleku thotë se është i gatshëm t’i përgjigjet thirrjes së Qeverisë, që kontributin e tij si mjek profesionist, ta ushtrojë dhe në Kosovë.
“Unë kam respektin dhe për Qeverinë dhe për iniciativën. Por Qeveria duhet të na jap një adresë, një institucion apo person, ku mund të lajmërohemi jemi të gatshëm që të ndajmë ose në baza mujore ose tre mujore ose disa ditë, që përvojat tona t’i japim në Kosovë. Vetëm është në pyetje organizimi dhe vullneti i shtetit, i Qeverisë. Nëse ajo me të vërtetë dëshiron që ne të vijmë, ne do të vijmë. Por thjeshtë duhet të na japin një adresë ku mund të drejtohemi dhe ku mund të fillojmë..Si person i vetëm është shumë vështirë. Por nëse mblidhemi pak më shumë specialist dhe nëse është vullneti i vendorëve, atëherë besoj se do të kishim pas sukses, që ta bëjmë hapin e parë”, tha ai.
Ndërsa thotë se shëndetësia kosovare nuk është shumë larg nga ajo e vendeve tjera, veçse duhet organizim dhe vullnet.
“Kosova nuk është shumë larg, por është krejt çështje vullneti , organizimi. Tash besoj me rritjen e pagave do të fillojnë dhe këtu mjekët me u marr më shumë me pacient”, thotë ai..
Për Marlekun nuk janë paratë ato që do ta pengonin që të kthehet dhe të jap kontributin e tij në vendlindje.
” Unë jam i lindur këtu dhe jam shqiptar. Nuk është problemi i parasë, por është problemi i vendimit a me u kthy a mos me u kthy….Kushtet besoj që janë, sepse kushtet njerëzit i krijojnë. Nuk kisha pas frikë se nuk do të kisha pas sukses dhe këtu përkundrazi me punu në vendin ku ke lind dhe ku je me një profesion që noton shumë lirshëm. Është vullneti i njeriut. Është vullneti im a do të kem sukses. Unë besoj se do të kisha patjetër, se edhe e flet gjuhën tënde dhe e ke profesionin që ke mësu. Nuk shoh ndonjë problem. Problemi material është një problem dytësor.. Çështje primare është të jesh mjek i mirë dhe ta kesh në konsideratë pacientin”, thotë Marleku…
Me gjithë sukseset e arritura në Kroaci, ai thotë se asnjëherë nuk e harron Kosovën. Ai këto ditë po qëndron në Kosovë, ku ishte i ftuar në një takim me radiologët kosovar me të cilat ndau përvojat e tij.
Derisa flet për trajtimin e pacientëve, thotë se Kosovës i duhen disa ndryshime pasi që ka neglizhencë në trajtimin e disa rasteve.
“Trajtimi ka ndryshim në kuptimin që në Kroaci trajtime të tilla shkojnë në mënyrë shumë më të shpejtë, shumë më ekzakte, këtu ka dhe pengesa, konkretisht lidhje me kancerin e gjirit. Në spitalin tim ekziston ekipa multi diciplinare, e cila e mjekon gjë që në Prishtinë nuk ekziston..Sot është një standard, pa të cilin nuk mund të ketë mjekim adekuat… Kosova s’mund të them se është mbrapa. Por mendoj që ka neglizhencë në specializime tjera”, tha ai.
Edhe pse punon si mjek në Kroaci, Marleku vazhdon të merret dhe me pacientët nga Kosova, të cilëve nuk heziton aspak të iu ndihmoj. Por heziton të flasë për ndihmën që ai ofron për pacientët kosovar, disa prej të cilëve ua siguron dhe banimin falas.
“Ka pas dhe asi raste . Kam pas një rast një vajzë nga Ferizaj, e cila ka pasur një diagnozë shumë të rëndë. Ishte e vendosur tek unë për shtatë muaj ditë. Fillimisht shtatë muaj nuk paguan asgjë, sa i përket banimit…Janë pacientët ata që mund të flasin..Të flasësh për ato gjëra që i ke bërë dhe janë disi intime, nuk kam dëshirë që të flas për ato. Pacientët janë ata që i dinë dhe fuqia e tyre është ajo që mua me shtyn me vazhdu me iu ndihmu që të gjejnë drejtim sa më shpejtë dhe sa më të mirë”, theksoi Marleku.
Thotë se ndjehet krenar për sukseset e arritura si mjek shqiptar. Por thekson se nuk është i vetmi, pasi që ka shumë mjek nga Kosova, të cilët kanë arritur suksese të mëdha në vendet e Evropës.
“Nuk jam i vetmi. Me siguri ka dhe me të suksesshëm se unë. Por për mendimin tim është një gjë reale, jetoj në kushte normale. Ndihem shumë krenar…Kroatët janë ata që flasin për mua dhe si të tillë me konsiderojnë. Të gjithë e dinë që jam shqiptar. Është ndjenjë shumë e mirë dhe pse gjatë historisë ne shqiptarët jashtë jemi ndjerë si qytetarë të rendit të dytë, në këto momente ose tek unë nuk është përkundrazi më trajtojnë shumë të barabartë “, thotë ai.