U VARROS VEPRIMTARI DHE ATDHETARI I DEVOTSHËM TOMË MILICAJ

NË VARREZAT E FSHATIT RANOC TË KLINËS

U VARROS VEPRIMTARI DHE ATDHETARI I DEVOTSHËM TOMË MILICAJ

Ranoc – Klinë, 7 gusht 2019

Sot, në varrezat e vendlindjes së tijm në Ranoc të Klinës, me nderime të larta iu dha lamtumira e fundit të veprimtarit dhe atdhetarit të shquar, Tomë Milicaj, i cili për shumë vite udhëhoqi Nëndegën e LDK-së në Zllakuqan të Klinës, po ashtu në legjislaturën e parë të zgjedhjeve komunale, 2001-2004 ishte anëtar i Kuvendit të Komunës së Klinës, ku përfaqësonte LDK-në.
Ne këtë moment mortor pos shumë qytetarëve të Lugut të Drinit, Dukagjinit dhe nga shumë pjesë të Kosovës, të pranishëm ishin edhe struktura të larta të Komunës së Klinës, Kryesuesi i Kuvendit të Komunësm njëherësh kryetar i Degës së LDK-së, z. Fadil Gashi, nënkryetari i Komunës, prof. Besim Hoti, familjarë, bashkëpunëtorë dhe bashkëveprimtarë të Tomës etj.
Nga veprimtari dhe veprimtari i devotshëm, Tomë Milicaj, u nda profesori i gjimnazit « Luigj Gurakuqi » në Klinë, ish- nënkryetari shumëvjecar i Degës së LDK-së në Klinë, asamblisti i shumë viteve i LDK në KK dhe veprimtari i shquar, prof. Ndue Shabnaj. Profesor Shabanaj u shpreh se jemi tubuar sot këtu të gjithë ne, familjarë, të afërm, shokë, miq dhe bashkëpunëtorë të Tomë Milicajt dhe familjes së tij, për t’ia dhënë lamtumirën e fundit të Tomës sonë shumë të dashur dhe të nderuar. « Gjendemi në një moment dhimbjeje dhe pikëllimi të thellë, që na ka kapluar të gjithëve me rastin e vdekjes së parakohshme dhe kalimit në amshim të të dashurit tonë, Tomë Milicaj. Tash ndodhemi pranë varrit të hapur, ku do të pushon përjetësisht në paqe trupi i pajetë i Tomës, i birit të dashur të familjes Milicaj, vëllait të dashur dhe sakrifikues për të mirën e përbashkët, bashkëshortit shembullor, prindit të urtë dhe edukatorit të rrallë, vjehrrit të afërt dhe të respektuar, gjyshit të dashur e të paharruar, shokut e mikut të dashur e të respektuar, e mbi të gjitha njeriut me vlera të larta njerëzore, morale dhe kombëtare, që e aq natyrshëm e stolisnin personalitetin e tij.
Tomë Milicaj u lind më 1 janar 1958 në fshatin Ranoc, nga babai Ndou dhe nëna Gjyle Gjidoda- Milicaj. Ishte fëmija dhe gëzimi i parë i familjes së tyre. Ai, rrjedh nga një familje me tradita të dëshmuara atdhetare, liridashësë dhe përparimtare, e njohur jo vetëm në Lugun e Drinit, por edhe në Dukagjin dhe krejt Kosovën. Edukatën e parë, dashurinë për atdheun, popullin dhe njerëzit në përgjithësi e mori në mesin familjar dhe në odat shqiptare, për të vazhduar më pas shkollimin dhe edukimin në institucionet arsimore, fillimisht në shkollën e Zllakuqanit dhe vende të tjera. Toma nuk kishte diploma për shkollim të lartë, por kishte edukatë të lartë, aftësi logjike, guxim të rrallë inteleltual, oratori të jashtëzakonshme, aftësi mobilizuese dhe gatishmëri të lartë për sakrificë. Ishte këmbëngulës dhe i pathyeshëm në angazhimet e tij të vazhdueshme në shërbim të interesit kombëtar”, pohoi profesor Shabanaj, i cili në vijim theksoi se në kohën e okupimit serb në Kosovë, Tomë Milicaj me shumë bashkëpunëtorë, doli hasptaz e guximshëm në ballë të angazhimeve e kontributeve të shumta si anëtar i devotshëm i LDK-së, që fillimisht ishte lëvizje politike e kombëtare për liri, pavarësi e demokraci, nën drejtimin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
“Toma u printe aksioneve të shumta të solidaritetit për të siguruar mbijetesën e familjeve në nevojë. Pastaj në mbrojtjen e shkollës shqipe, veçanërisht ia vlen të theksohet kontributi i tij i madh për ofrimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve të mësimit për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së mesme “Luigj Gurakuqi” të Klinës, punkti në Zllakuqan. Angazhimi i tij ishte i pandalshëm pavarësisht rrethanave të luftës. Ai vazhdoi pa u ndalur në përkrahje të popullatës në zonat të luftës, duke iu ofruar artikuj të domosdoshëm që ngrumbulloheshin në atë kohë nga këshillat e caktuara lokale dhe komunale. Në kohën e luftës në Kosovë, në shtëpinë e tij, sikur edhe në shumë shtëpi të tjera, kishte strehuar shumë të përndjekur nga vatrat e tyre, ku veçmas u dallua në ofrimin e ndihmave për të zhvendosurit nga Mitrovica me rrethinë. Edhe pse në një kohë, edhe ai vetë me familje ishte përndjekur dhunshëm nga shtëpia e tij, por nuk e lëshoi Kosovën për asnjë çast. Pas lufte, kur agoi liria e shumëpritur në Kosovë, Toma vazhdoi pa u ndalur angazhimin për sanimin e pasojave të luftës, që vëreheshin në çdo mes, për çka ai gëzonte respekt të madh nga të gjitha shtresat e popullit. Si rezultat i meritave të tij dhe respektit që gëzonte ai në zgjedhjet e para të lira e demokratike në Kosovë, me votën e lirë të popullit u zgjodh anëtar i AK të Klinës, ku ishte shumë aktiv në angazhimet për të ecur para dhe gjithmonë duke i kritikuar dobësitë dhe pengesat e paraqitura kohë pas kohe. Toma në paraqitjet e tij publike vlerësohej ashtu siç ishte me të vërtetë, shumë parimor dhe i pakompromis ndaj dobësive dhe bartësve të tyre, kundër çdo lloj pabarazie e padrejtësie në zhvillimet e pasluftës në Kosovë. Ai, vazhdimisht u angazhua për realizimin e projekteve në funksion të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve të Klinës dhe për tubimin e mjeteve financiare për të siguruar participimin qytetar kur ishte e nevojshme. Në kohën e fundit, jo të shkurtër, Toma, pati fatin e lig, kur e kaploi sëmundja e rëndë, e cila gradualisht e dërrmoi fizkisht, por asnjëherë nuk ia humbi shpresën dhe optimizmin për jetë. Përkundër përpjekjeve të shumta të familjes për shërimin e tij brenda dhe jashtë vendit ato rezultuan të pasuksesshme. Sëmundja e bëri të veten, ia sjelli vdekjen e parakohshme dhe na e ndau Tomën tonë nga jeta. Po ndahemi sot, vetëm fizikisht nga Toma ynë i dashur, sepse kujtimet respekti dhe virtytet e tij të larta do t’i ruajmë përherë të freskëta në kujtesën tonë. Mungesa e Tomës do të ndjehet në çdo mes ku ai jetoi dhe veproi. U prehsh i qetë në amshim miku dhe shoku ynë i dashur, Tomë Milicaj!I lehtë të qoftë dheu i Kosovës që aq shumë e deshe! Pushofsh në paqe!”- është shprehur në fjalën e tijm profesor Shabanaj.