Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka folur për Gazetën Sinjali pas raportimeve të mediumit A2 CNN se ishte planifikuar vrasja e tij, kryeministrit Albin Kurtit dhe Ismet Haxhës.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Halitin i cili tha se është informuar në fillim të këtij viti nga Policia që duhet të ketë kujdes.
“Unë nuk e kom për herë të parë, edhe më herët kom pasë mbrojtjet të afërt nga Policia e Kosovës. Kom qenë target edhe i grupeve kriminale në Kosovë edhe i UDB-së. Kjo e fundit, është diçka që po besoj përafërsisht jam informu ndoshta në mars të këtij viti, ose prill. Nga Policia e Kosovës jam informuar se duhet të kem kujdes. Policia e Kosovës e Prokuroria e Përgjithshme kanë pasur informata të sakta, e nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim. Me siguri kanë pasur. Më ka thirrë Policia, jemi taku, ma kanë shpejgu rastin, që duhet të kem kujdes”, tha Haliti për Sinjalin.
Sipas informacione të Njësisë Kundër Terrorizmit, objektivi i parë do të ishte Ismet Haxha. Objektivi i dytë ishte Xhavit Haliti, i cili do të vritej një muaj pas Haxhës për t’u dukur si hakmarrje. Më pas, do të vritej edhe kryeministri Albin Kurti. Sipas informacioneve, qëllimi i këtyre atentateve është destabilizimi i Kosovës. Po ashtu, në dokument theksohet se të tre atentatet do të kryheshin në 4 muajt e ardhshëm.”.