U MBAJT SEANCA E NËNTË E RREGULLT E PUNËS SË KUVENDIT KOMUNAL KLINË

Në sallën e Kuvendit Komunal Klinë, është mbajtur sot seanca e nëntë e rregullt e punës, për vitin 2022.
Kjo seancë filloi punimet duke nderuar me një minutë heshtje ish-anëtarin e Kuvendit të Komunës dhe profesorin Tush Dedaj, që ditë më parë ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë.

Gjithashtu, hapja e kësaj seance u përcoll edhe me dy lëvizje nga anëtarët e Kuvendit, ku znj. Lirie Kryeziu – Gashi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kaloi si e pavarur dhe z. Bledar Berisha nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tashmë është bërë pjesë e grupit të asamblistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Punimet e seancës i udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi dhe të pranishëm ishin nënkryetarja, znj. Marqe Tanushi-Selmanaj, anëtarë të Kuvendit, drejtorë të drejtorive, përfaqësues të OSBE-së, Klina.info dhe media tjera.

Kryesuesi Gashi, para të pranishmëve shpalosi këtë rend dite për diskutim:
1. Arsyetimi i mungesave,
2 .Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar,
3. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimeve të Komitetit për Politikë dhe Financa,
4. Shqyrtimi i Raportit Financiar për periudhën Janar-Shtator 2022,
5. Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të KKSB-së
6. Pyetje dhe përgjigje.

Të gjitha pikat e rendit të ditës janë miratuar me shumicë votash nga anëtarët e Kuvendit.