U MBAJT MBLEDHJA E SHTABIT EMERGJENT, NË KLINË U MORËN DISA VENDIME NDAJ PËRHAPJES SË VIRUSIT COVID-19

U MBAJT MBLEDHJA E SHTABIT EMERGJENT, U MORËN DISA VENDIME NDAJ PËRHAPJES SË VIRUSIT COVID-19

Nën drejtimin e kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot Shtabi Emergjent i Komunës së Klinës ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar lidhur me gjendjen e krijuar pas përhapjes së virusit COVID-19 dhe hapat e tjerë që duhet të ndërmerren në parandalimin e përhapjes së virusit.

Kryetari Elezaj theksoi se vendimi i Qeverisë që Komuna e Klinës të mbetet në karantinë pas përhapjes së virusit po respektohet nga qytetarët dhe shtoi se institucionet lokale në bazë të kapaciteteve po angazhohen maksimalisht në përmbushjen e detyrave të tyre në funksion të ofrimit të shërbimeve për qytetarët.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, z. Hekuran Sejdiu, njoftoi se në Klinë nuk ka ndonjë rast tjetër të prekur nga virusi COVID-19 dhe se institucionet e Komunës kanë bërë identifikimin e individëve që e prekura me virus ka pasur kontakt dhe shtoi se në bashkëpunim me Stacionin e Policisë në Klinë, janë në proces të identifikimit të personave që kanë ardhur nga Italia.

Komandanti i Policisë, z. Ragip Bytyqi, njoftoi se policia në bashkëpunim me inspektorët e komunës, janë vazhdimisht në teren për të parë zbatimin e vendimeve të qeverisë.

Në këtë takim, Shtabi Emergjent ka marrur këto vendime:

1- Lejohet lëvizja e qytetarëve të Komunës së Klinës për raste të nevojave urgjente dhe të domosdoshme me qëllim të kryerjes së shërbimeve të caktuara. Për lëvizjet e nevojshme të gjithë duhet të jenë të pajisur cdo herë me dokumente të identifikimit,
2- Është autorizuar Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjente që për raste specifike jashtë territorit të Komunës së Klinës, me qëllim të furnizimit të bizneseve me gjëra ushqimore dhe sanitare, lëvizjes së personelit shëndetësor dhe rasteve specifike të lëshojë leje të posaçme,
3- DSHPE do të bëjë dezinfektimin e hapësirave dhe objekteve publike dhe private,
4- KRU “HIDRODRINI’ do të sigurojë ujë të pijshëm për qytetarët.

Kryetari i Komunës, z. Zenun Elezaj, apelon qytetarët që të respektojnë në përpikëri udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe përveç në raste për plotësim të nevojave emergjente, të shmangin daljet dhe kontaktet me persona të tjerë.