U MBAJT MANIFESTIMI I XI-të TRADICIONAL “ORA E TAHIR DESKUT”

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, është mbajtur Manifestimi tradicional letrar, “Ora e Tahir Deskut”, i njëmbëdhjeti më radhë, që organizohet në nderim të gazetarit, shkrimtarit dhe luftëtarit të lirisë, Tahir Deskut.

Në këtë manifestim, ku të pranishëm ishin Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të komunës, ish kolegë, miq dhe familjarë të të ndjerit, Kryetari Elezaj theksoi se kujtimi për Tahirin do të mbetet i përjetshëm dhe se vepra e është udhërrëfyes në rrugën tonë të atdhedashurisë.

“Të nderuar, Tahirin do ta kujtojmë çdo herë si njeri të hareshëm, fisnik, bujarë, antikonformist i pashoq, i drejtpërdrejtë me të gjithë e të dashur për të gjithë, prandaj kujtimi për të është i freskët për të gjithë ne, miq, familjarë e kolegë të tij, jo vetëm në këtë homazh përkujtimi e Manifestim letrat, por puna e tij e sinqertë dhe vepra e tij do të na shërbej si frymëzim çdo herë.

Tahiri më shumë se gjithçka ishte i njohur si gazetar i luftës, që raportonte nga zona të luftës. Si poet që shkruante vargje për luftën, luftëtarët, trimëritë e heroizmat e tyre, sepse ai vet ishte një nga luftëtarët për lirinë e këtij vendi, që falë veprës së tij dhe bashkëluftëtarëve të tij u mundësua liria. Vargjet e tij u bënë këngë që frymëzuan të tjerët, e do të mbeten kujtim për dëshmorët e kombit duke lënë gjurmë të pashlyeshme për dëshmorët po edhe për vet poetin, duke pasuruar krijimtarinë e tij letrare.

Ai u nda nga ne vetëm fizikisht, kujtimi për të është i përhershëm e vepra e tij do të na përcjellë çdo herë si shembulli i mirë i atdhetarisë”, tha ndër të tjera Kryetari Elezaj.

Më tej, u bë ndarja e çmimeve, ku çmimin kryesor për veprën më të mirë letrare, “Ora e Tahir Desku” e fitoi Anton Berisha.

Për jetën dhe veprën e Tahir Deskut folën edhe miq dhe ish kolegë të tij, të cilët e vlerësuan lartë kontributin e tij si në luftë ashtu edhe në krijimtarinë letrare, duke theksuar antikonformizmin si vlerë të tij.