Turniri Tradicional për Dëshmorët e Brigadave 132 dhe 135: Lahi Brahimaj vlerëson sakrificën për liri

Në Kompleksin Memorial në Shqiponjë, sot u mbajt turniri tradicional i futbollit në nderim të dëshmorëve të Brigadave 132 dhe 135, një aktivitet që bashkoi pasionin sportiv me përkujtimin për heronjtë që ranë për lirinë e Kosovës.

Tetë ekipe nga qytete të ndryshme të vendit dhe Shqipërisë garuan për trofeun e këtij turneu, duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive dhe patriotike, shkruan Klina.info.

Në përfundim të garave:
• KF Rilindja nga Prishtina rrëmbeu vendin e parë,
• KS Erzeni nga Shijaku doli në vendin e dytë,
• KF Gjakova përfundoi i treti,
• ndërsa KF Peja zuri vendin e katërt.

Lahi Brahimaj, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet, falënderoi të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe organizatorët për kontributin në këtë iniciativë të rëndësishme që, sipas tij, “nderojnë të rënët dhe fuqizojnë kujtesën kombëtare”. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për përpjekjet e Gzim Dakës dhe Idriz Brahimajt si organizatorë, si dhe për përkrahjen e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Kjo ngjarje na kujton se liria ka një çmim të lartë. Nderimi për dëshmorët është obligim moral dhe kombëtar. Ky turnir do të mbetet traditë për të përjetësuar sakrificën e tyre”, deklaroi Brahimaj.

Ky turnir përforcon lidhjen mes sportit, kujtesës historike dhe angazhimit qytetar për të mos harruar kurrë ata që dhanë gjithçka për vendin.