Tri vrasje në lokale brenda një jave në Kosovë

Një person, 39-vjeçar ka mbetur i vdekur pas mesnatës së mbrëmshme në një kafiteri të Muzikës Live në fshatin Runik të Skenderajt.

Ky rast e çon në tre numrin e personave të vrarë brenda një jave në Kosovë.

Nga të shtënat me armë në Runik, të plagosur mbetën tre burra që siç mëson KALLXO.com janë personat me inicialet M. R., F. J. dhe Q. J.

Personat të cilët dyshohet se kanë kryer aktin ishin të maskuar dhe u përdorën dy armë.

Nga prokuroria thonë se të dyshuarit janë ende të paidentifikuar.

Njëri nga tre personat që u plagosën dje në fshatin Runik të Skenderajt, është në gjendje pak më të rënduar, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetë.

Tronditje në opinionin kosovar së fundi shkaktoi shkrepja fatale e plumbave brenda kafiterive në dy raste të ndryshme, në Prishtinë e në Klinë, që lanë të vdekur dy persona e lëndoi rreth 20 të tjerë në kryeqytet vetëm gjatë javës së fundit.

Në Prishtinë e në Klinë në kafiteri që gjenden në qendër të këtyre dy qyteteve u vranë dy persona.

Për vrasjen në Klinë që ndodhi më 7 gusht 2023, i dyshuari është ende në arrati.

Nga ana e forcave të rendit po kërkohet Tushë Frroku, i cili u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës, pesë orë pas rastit të vrasjes që u regjistrua në Klinë, motivet e të cilës nuk dihen ende.

Vetëm tre ditë më herët, më 4 gusht 2023 në Prishtinë ndodhi një plagosje tjetër ndaj viktimës që vdiq më pas, e me dhjetëra persona të tjerë mbetën të lënduar.

Shënonte ora 23:17 kur të premten e kaluar në lokalin “Bon Vivant” në qendër të Prishtinës u dëgjuan të shtëna me armë zjarri, nga të cilat u lënduan katër të dyshuar burra, e si pasojë e thyerjeve të gotave e shisheve të qelqit lëndime pësuan 17 persona të tjerë.

Plagë nga arma mori edhe Kastriot Ramadani, i cili nuk arriti të mbijetojë dhe vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të dyshuar në këtë ngjarje janë Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti e Dukagjin Nikollaj që në natën kritike gjendeshin në lokalin në fjalë me një person të paidentifikuar.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj.

Sipas Prokurorisë, në afërsi të tavolinës ku ishin duke qëndruar Dukagjin Nikollaj e Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër, i cili ende nuk është identifikuar, pranë tyre, duke qëndruar në këmbë, ishin afruar Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.

Dosja tregon se për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj, e më pas Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit.

Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.