Më 14 dhjetor 2018, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet që u miratuan ishin Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.
Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009. Kjo Forcë, është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s. Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, në marrëveshje me NATO-n, ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës, si forcë për emergjenca. Kjo Trupë më pas ishte shndërruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.