Policia e Kosovës, ka raportuar për tri raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas njoftimit të policisë rastet kanë ndodhur në tri komuna të Kosovës në Prishtinë, Klinë dhe Prizren.
Në Prishtinë një grua ka njoftuar policinë se bashkëshorti i saj në vazhdimësi është duke i shkaktuar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.
“Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport të policisë.
Edhe në Klinë është arrestuar një person nga policia. Sipas njoftimit të policisë, personi në gjendje të dehur ka shkaktuar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
“Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, është thënë në raport.
Kurse në Komunën e Prizrenit një burrë është sulmuar fizikisht nga djali i tij pas një mosmarrëveshje verbale.
Policia njofton se rasti është duke u hetuar nga njësitë relevante.