Tre persona kanë vdekur gjatë së dielës si pasojë e aksidenteve në trafik. Policia ka bërë të ditur se një person ka vdekur në Qendren Klinike Universitare të Kosovës pasi i njëjti kishte marrë lëndime në një aksident trafiku që kishte ndodhur me 14 gusht të këtij viti në Shtërpcë,
“Viktima, mashkull kosovar, i cili ishte duke u trajtuar në QKUK si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur po ashtu se një person tjetër që ishte aksidentuar me 22 gusht në Han të Elezit, ka vdekur të dielën.
“Lidhur me rastin, është informuar se viktima mashkull shtetas i Gjermanisë, i cili ishte duke u trajtuar në Gjermani pasi ishte aksidentuar në Han të Elezit, ka ndërruar jetë. Rasti në procedure hetimore”, thuhet në raport, transmeton IndeksOnline.
Ndërsa aksidenti tjetër me pasoja fatale ka ndodhur të dielën në Gjakovë ku një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar dhe një motoçikletë të cilën e drejtonte viktima mashkull kosovar, janë përfshirë në aksident në mes veti. Si pasojë e lëndimeve të marra në aksident, ka ndërruar jetë drejtuesi i motoçikletës. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion kurse i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, sipas policisë në territorin e Kosovës kanë ndodhur 61 aksidente trafiku, tri me pasoja fatale, 24 me persona të lënduar dhe 24 të tjera me dëme materiale. Ndaj gjithë pjesëmarrësve në trafik që kanë thyer rregullat e komunikacionit, policia ka shqiptuar 1443 gjoba kundërvajtëse.