Gjashtë persona janë arrestuar pas një aksioni të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, pasi të njëjtit dyshohet se merreshin me prodhimin, shpërndarjen dhe futjen në treg të parave false, që dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.
Përmes një komunikate për media, PSRK njofton se tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.
Ata u arrestuan në flagrancë, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy euro të falsifikuara.
“Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.