Tre anëtarë të familjes së Nuredin Lushtakut janë ndaluar për 48 orë, si të dyshuar për incidentin që ndodhi të shtunën në Skenderaj.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se ndaj Arbër Lushtakut dhe dy vëllezërve të Nuredinit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim, nën dyshimet se kanë sulmuar dy zyrtarë policorë.
Arbëri bashkë me xhaxhain e tij Arif Lushtakun janë dorëzuar mbrëmë në Polici, pas qëndrimit në arrati për orë të tëra, teksa Fatoni dhe Nuredini u dorëzuan gjatë ditës. Ky i fundit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Si pasojë e konfliktit të së shtunës, dy policët Enver Smakiqi dhe Mërgim Geci mbetën të plagosur. Motivi i rastit dyshohet të jetë gjoba për kundërvajtje në trafik që ata i shqiptuan Arbërit, djalit të Nuredinit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/Sinjali/