Tragjike: Një i vdekur nga të shtënat me armë në Bon Vivant

Prishtina u trondit mbrëmjen e 4 gushtit nga të shtënat me armë në lokalin Bon Vivant, pas një konflikti verbal mes disa të rinjve. Në këtë rast ka mbetur pa shenja jete një person ndërsa 17 të tjerë janë lënduar, 7 prej tyre janë plagosur, shkruan Gazeta Sinjali.

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një person i cili ishte në gjendje të rëndë pas plagëse që mori në gjuajtjen me armë zjarri.

Lajmin e ka konfirmuar shefi i repartit intensiv në QKUK, Shaqir Uka.

“Nga informacionet qe kam nga ekipa kujdestare e Mjekimit Intensiv, 1 pacient që ka marrë plagë nga plagosja e mbrëmshme pas intervenimit kirurgjik është sjell për trajtim të mëtutjeshëm në Mjekumin Intensiv. Pacienti në fjalë edhe përkundër të gjithë trajtimit kirurgjik dhe terapisë intensive nuk ka arritur të iu mbijetoj plagëve dhe ka ndërruar jetë në orët e hershme tē mëngjesit”, ka deklaruar Shaqiri.

Sinjali mëson ekskluzivisht se në këtë rast dyshohet se është i përfshirë edhe Andi Pajaziti, i njohur me nofkën “Italiani”.

Sinjali po ashtu ka mësuar se personat e tjerë që mbetën të lënduar janë K.R., A.A., L.S., G.H., A.G dhe N.N. (Emra të njohur për redaksinë).

Policia tashmë e ka konfirmuar rastin zyrtarisht, me ç’rast kanë bërë me dije se dy persona dyshohet se kanë gisht në sherrin te ky lokal.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 23:30, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal  në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.
 
Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se disa persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit apo edhe nga fragmente qelqi. 

Ndërkohë që të lënduarit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore .

Aktualisht së paku dy të dyshuar janë identifikuar si të implikuar në rast, përderisa po punohet edhe për identifikimin e të dyshuarve të tjerë të mundshëm.