Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të hënën në një familje në Ferizaj. Në rrethana të dyshimta, një i ri u gjet i vdekur në banesën e tij, në rrugën ‘Enver Topalli’. Policia tashmë ka nisur hetimet lidhur me rastin dhe janë zbuluar disa detaje për këtë rast që tronditi familjen e viktimës, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, rasti ka ndodhur në orët e pasdite dhe bëhet fjalë për një 26-vjeçar, i cili është gjetur nga motra e tij i shtrirë në dhomë dhe pa shenja jete.
Posa rasti është raportuar nga familja, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, përfshirë ekipin mjekësor të Emergjencës.
Pas ekzaminimeve për shenja vitale, mjeku ka konstatuar vdekjen e të riut dhe më pas është tërhequr trupi i pajetë për t’u dërguar për obduksion.
Në vendngjarje, Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme dhe ka marrë informacionet e para për këtë rast të rëndë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se dyshimet e para lidhen me përdorimin e tepërt të barnave nga i ndjeri dhe një gjë e tillë pritet të konfirmohet tutje.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti dhe do të ndërmerren veprime tjera brenda afatit ligjor.