Tragjedia në Koçan, familjarët kërkojnë të afërmit e tyre – publikojnë fotografitë e tyre në rrjete sociale

Në rrjetet sociale janë shfaqur disa fotografi të personave që ishin të pranishëm në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 100 persona tjerë, si pasojë e zjarrit që përfshiu klubin e natës.

Në “Instagram” dhe “Facebook” po shpërndahen fotografi të të rinjve duke kërkuar informacione për më të afërmit e tyre, ka raportuar mediumi maqedonas, Kanal 5.

Fotografitë e tyre, së bashku me emrat dhe numrat e telefonit janë shpërndarë, me kërkesën që, nëse dikush e di në cilën spital ndodhen ose ka ndonjë informacion tjetër, të njoftojë në numrat e dhënë.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë, Arben Taravari, në konferencën e sotme për media informoi se gjithsej 118 persona janë shtruar në objekte të ndryshme spitalore pas tragjedisë në Koçan.

Ai theksoi se të gjithë pacientët po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe se sistemi shëndetësor është plotësisht i mobilizuar.

“Nuk ka pacient që nuk po përkujdeset, të gjitha kapacitetet janë vënë në funksion”. “Ne do të bëjmë çmos për të shpëtuar sa më shumë jetë të jetë e mundur”.

Taravari bëri të ditur se gjatë ditës do të vizitojë disa nga klinikat kirurgjikale ku do të marrë më shumë informacion për gjendjen e të lënduarve.

“Ne do të shkojmë në klinikat kirurgjikale ku do të kemi më shumë informacion.”