Opozita ka ngritur akuza të drejtpërdrejta në adresë të ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Ejup Maqedonci, duke kërkuar dorëheqjen e tij pas asaj që e quan “skandal” të trajtimit ushqimor të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Madje, ai është quajtur nga opozita si tradhtar që ka lënë pa bukë ushtrinë.
I ftuar në Ditarin e mesditës nga Denisa Pasholli në A2 CNN, Ejup Maqedonci i dha përgjigje opozitës në Kosovë.
“E gjitha është edhe pjesë e fushatës, pasi për herë të parë vendi po shkon në zgjedhje të rregullta dhe opozitës i është lënë hapësirë për të filluar para kohe fushatën. Këto janë çështje që nuk do të duhej të ngriheshin në këtë nivel. Të gjitha përpjekjet që janë bërë nga unë dhe Komandanti i FSK-së kanë qenë në drejtim të pengimit të mundësive për t’u keqpërdorur apo për t’u korruptuar ndonjë zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes, pikërisht në çështjen e ushqimit. Ne do të shmangim të gjithë tenderët për ushqim, duke u realizuar nga vetë stafi civil i rekrutuar. Me këtë shmangim mundësinë e keqpërdorimeve.
Unë kam ndërprerë një kontratë që ka qenë e publikuar në ministri, e cila ka pasur edhe probleme ligjore. Ndërprerja e kësaj kontrate na ka mundësuar që të zhvillojmë konceptin e ri,” tha ministri Maqedonci në A2 CNN.
I pyetur drejtpërdrejt nga gazetarja Denisa Pasholli nëse e ka menduar dorëheqjen gjatë këtyre ditëve, ai u shpreh: “Nuk është e vërtetë që kam kërkuar dorëheqjen. Çdo veprim që ndërmarr është i vetëdijshëm. Unë vlerësoj se kam bërë hapat e duhura që duhet të bëjë një ministër dhe as e kam ndërmend të dorëhiqem. Unë do të vazhdoj të shtyjë përpara në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse në Republikën e Kosovës,” tha ministri Maqedonci