TI ENDE MUNGON
(në prag të fushatës elektorale)
Midis posterave të mëdhenj,
askund portreti yt,
pra ti nuk fiton as kësaj radhe,
e shenjta, e shtrenjta ime e madhe.
As burgjet e tua askund,
as plagomat e kërbaçit t’udbashit,
as vdekjet, as ndjekjet.
Midis posterave të mëdhenj,
më lart se kokat “e qytetarëve sovranë”,
fytyra jote askund,
ti ende mungon.
Në të verdhën mashtruese të vjeshtës
askund yjet e syve të tu,
sepse duan të dalin mirë me sondazhe elektorale.
Kur posterat e mëdhenj kanë me ra n’tokë sërish,
trupi yt më shumë ka me u tëhollue
nga dimri i gjatë i motit dhe i pandemisë.
Ti ke me vazhdue gjimnastikën e përbirimit
nëpër gurët e shpuar të demokracisë,
dhe nëpër dyert e zyrave të shtetit
ku rrinë këmbëkryq partitë.
POPULLI IM DHE POPULLI YT
Populli im dhe populli yt,
kur e pyeta n’besë një ditë për të gjitha,
ofshau thellë dhe më tha:
“Dëgjomë, kjo është çështja:
mungesa, mungesa, mungesa…
dhe maska mbi gjithçka,
maska, maska, maska…”
Prandaj populli yt dhe populli im
për pesë euro të valutës evropiane
votën e shet në zgjedhjet demokratike,
në këto karnavale.
(Rixhevë, vjeshtë e parë, 2021)