Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Kosova
1877: Themelohet Vilajeti i Kosovës me sanxhaqet e Prizrenit, Jenipazarit (sot: Novi Pazar), Shkupit, Nishit dhe Shehirkoyit (sot: Pirot). Konsulli austro-hungarez shprehej kundër caktimit të Prishtinës si kryeqytet i Vilajetit, sepse sipas tij, Prishtina ishte veç një copë tokë e mjerë. Mytesarif (kryetar i administratës së Vilajetit) u emërua Mehmed Kamil Pasha, i cili më parë kishte qenë guvernator i përgjithshëm i Bejrutit. Ai ishte i lindur në Nikozi të Qipros
Më datën 5 shkurt 1877 konsulli austro-hungarez në Prizren Friedrich Lippich Ritter von Lindburg jepte lajmin për themelimin e Vilajetit të Kosovës. Seli e qeverisë së Vilajetit ishte caktuar Prishtina. Mytesarif (kryetar i administratës së Vilajetit) u emërua Mehmed Kamil Pasha, i cili më parë kishte qenë guvernator i përgjithshëm i Bejrutit. Mehmed Kamil Pasha ishte lindur në Nikozi të Qipros së sotme. Mes viteve 1960 dhe 1880 ai ishte disa herë vali në Ballkan dhe në Qipro.
Konsulli shprehet i habitur që Vilajetit të Kosovës iu bashkëngjit Piroti, i cili ishte krejtësisht bullgar. Caktimi i Prishtinës si kryeqytet i Vilajetit u bë për shkak të afërsisë me kenotafin (varrin) e Sulltan Muratit dhe me qëllim të ruajtjes së kujtimeve madhështore dhe përkujtimit të poshtërimit më të thellë nacional (bëhet fjalë për humbjen në Betejën e Gazimestanit më 1389).
Konsulli Friedrich Lippich Ritter von Lindburg shkruante se, përkundër prezantimit madhështor të Vilajetit në tërësinë e tij, caktimi i Prishtinës si kryeqytet ishte vendim i padenjë, sepse, vazhdonte ai, Prishtina ishte një copë vend i mjerë. Me përjashtim të pozicionit qendror në linjën hekurudhore Selanik-Mitrovicë, Prishtina nuk ofron bash asgjë për sistemimin e zyrtarëve, një garnizoni dhe entiteteve të ndryshme, të cilat janë pjesë e aparatit të komplikuar të qeverisë së Vilajetit. Prishtina, potenconte konsulli, është ndër vendet më të vrazhda të Rumelisë me popullsi të paktë, e cila nuk ka elemente prej të cilave do të mund të rekrutoheshin këshillat e administratës, policisë, drejtësisë dhe tregtisë.
Konsulli Friedrich Lippich Ritter von Lindburg supozon se ndoshta kryeveziri, i cili e njeh gjendjen e mjerë të Prishtinës, i ka pasur parasysh vështirësitë që do t’i shfaqen pas zgjedhjes së kryeqytetit të Vilajetit, andaj për shmangien e këtyre vështirësive, ai mbase është kujdesur të sigurojë mjete për adaptimin e këtij lokaliteti.
Myslimanët e këtushëm, shtonte konsulli, i kanë dorëzuar mytesarifit një peticion për themelimin e një garde nacionale në Prizren. Ata me gjasë mendojnë se kështu do të arrijnë të fitojnë përsëri të drejtën e bartjes së armëve. Edhe popullsia e krishterë bëri një kërkesë të ngjashme, shkruan konsulli.
1897: Një pjesë e parisë së Pejës merrte ryshfet nga Mali i Zi. Rojtarët muhamedanë paguheshin nga manastiri i Deçanit dhe i përkisnin partisë së Riza Beut, i cili synonte të luftonte përkrahësit e Haxhi Zekës dhe në rast të humbjes t’i thërriste në ndihmë malazezët. Konsulli austro-hungarez në Prizren kërkonte sjelljen e mjekëve austriakë apo hungarezë në këtë pjesë të Kosovës
Në një raport të datës 12 shtator 1897 konsulli austro-hungarez në Prizren, Alfred Rappaport, jepte hollësi mbi gjendjen në Pejë. Në Sanxhakun e Pejës qeveria turke mbështetej te përkrahësit e Haxhi Zekës, i cili përshkruhet si lider me ndikim. Kundërshtarë të lëvizjes së Haxhi Zekës në Pejë ishin Halil Pashë Begolli, Zenel Beu dhe Mulla Musa, ndërsa në Gjakovë Riza Beu. Sipas konsullit Rappaport, ata kishin humbur mjaft prestigj. Këta të fundit përpiqeshin të kthenin prestigjin e tyre përmes intrigave dhe duke i shkaktuar probleme qeverisë dhe Haxhi Zekës.
Konsulli Rappaport shkruante në vijim se bazuar në lajmin që kishte marrë nga një burim i besueshëm muhamedan dhe duke u nisur nga dyshimet e nënkonsullit Anton Edler von Winter rezultonte se prijësit e partisë së bejlerëve nga Peja dhe Gjakova paguheshin nga Mali i Zi. Rappaport nënvizonte se nga disa palë ishte siguruar se Riza Beu dhe besnikët e tij kishin ndërmend të bindnin sa më shumë përkrahës të refuzojnë shërbimin ushtarak dhe kështu të nxisin një konflikt serioz me qeverinë dhe me Haxhi Zekën, në mënyrë që në rast të disfatës t’i thërrasin në ndihmë malazezët. Një sërë rrethanash tregojnë për saktësinë e këtyre njoftimeve, shtonte konsulli Rappaport: rojtarët muhamedanë të manastirit ortodoks të Deçanit paguheshin nga manastiri dhe i takonin partisë së Riza Beut. Po ashtu edhe Zhuja nga Rugova, të cilin konsulli e përshkruan si shumë dinak dhe të kujdesshëm, përkrahej me të madhe nga kisha e Pejës të cilën e ruante. Zhuja po ashtu kishte marrë dhuratë një shumë të majme parash nga konsulli serb, Ristiq dhe për hir të mikut të tij Halil Pashës thuhet se kishte kërkuar shkëputjen e rugovasve nga Haxhi Zeka duke u dhënë atyre para. Riza Beu sigurisht mban lidhje me nënkonsullin e këtushëm rus dhe mbështet komunitetin ortodoks të Gjakovës.
Konsulli Rappaport tregon se një përkrahës naiv i Riza Beut i kishte thënë se ndonëse ai është pasanik, megjithatë e ka të paqartë se nga i merr paratë Riza Beu për agjitacion te fiset malësore. Gjithashtu, bie në sy që sidomos ditëve të fundit Krasniqët që dikur ishin armiq të Riza Beut iu bashkuan Bytyqëve dhe Gashëve të Rekës të cilët të nxitur nga Beu i përmendur tani ishin në konflikt me qytetin e Gjakovës. Fakti që ata lanë anash një ngatërresë të hershme tregon se si Riza Beu ashtu edhe Krasniqja mbanin lidhje me Malin e Zi.
Për të shtuar ndikimin austro-hungarez konsulli propozonte dërgimin e një apo disa mjekëve austriakë apo hungarezë në Prizren, më vonë në Gjakovë dhe Pejë, ku deri më tani nuk ka asnjë sanitar perëndimor. Këta mjekë, shtonte Rappaport, duhet të kenë vepruar ndër muhamedanë dhe t’i njohin adetet e tyre, gjë që, sipas tij, nuk është aq vështirë pasi që pas luftës greke jo pak nga mjekët tanë kanë punuar në spitalet ushtarake turke. Një mjek i zellshëm, politikisht i edukuar dhe i moshës së re me pak takt dhe shkathtësi, lehtësisht do të bëhej i popullarizuar te muhamedanët dhe kësisoj do të ishte një shtyllë e rëndësishme dhe organ i vlefshëm për veprimtarinë e këtushme zyrtare.
[Përktheu dhe përgatiti: Enver Robelli]
Burimi: “Politika dhe shoqëria në Vilajetin e Kosovës dhe në Kosovën e sunduar nga serbët. Raporte të konsujve austro-hungarezë nga Ballkani qendror (1870-1914)”, botoi Akademia Austriake e Shkencave, Vjenë 2020. Edituar nga Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz. (Tekstet janë botuar në origjinal në gjuhët që kanë shkruar konsujt, gjermanisht dhe herë-herë frëngjisht)