Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka kërkuar urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen. Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë.
Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë apo qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por, jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, thuhet në reagimin e Thaçit.
Ndryshe, djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump Jr. i ka dalur krah senatorit amerikan, David Perdue, i cili sot ka shkruar në “Twitter” se SHBA-ja duhet ta rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
“Pajtohem. Janë rreth 650 trupa amerikane në Kosovë. Ka ardhur koha t’i kthejmë ata në shtëpi”, shkruan Donald Trump Jr.
Perdue, senatori nga Gjeorgjia, kishte shkruar më herët në “Twitter” se SHBA-ja do të duhej ta rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.
Sipas tij, “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, SHBA-ja ta rishqyrtojë praninë e saj atje”.
E statusi i tij në “Twitter” ndërkohë është shpërndarë edhe prej të dërguarit të SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell