Presidenti Hashim Thaçi tha se Kushtetuta dhe ligjet nuk ia ndalojnë që të shprehë opinionet dhe këshillat e tij duke shtuar se edhe ish-kryeministrit Albin Kurtit i kishte dhënë këshilla, por se ky i fundit nuk i përfilli ato.
“Nuk ma ndalon Kushtetuta dhe ligji që unë të jap opinion për çështje të caktuara por edhe këshilla. Unë i kam dhënë sugjerime dhe këshilla edhe Kurtit se si duhet të lëvizet përpara dhe sikur t’i respektonte ato sugjerime sot do të ishte gjendja më ndryshe, më e favorshme për të, në veçanti që të punojë më tepër në çtensionimin e situatës politike në Kosovë që të ulet ajo armiqësi me opozitën, të ketë sjellje më konstruktive me partnerët e koalicionit, jo vetëm me LDK-në, por edhe me të tjerët. Po ashtu, që të ndërtohet një platformë e ecjes përpara në kuptimin e situatës së pandemisë dhe të ketë bashkëpunim edhe institucional edhe ndërpartiak”.
“Unë sugjerimet dhe këshillat kushdo që kërkon nga ana ime, kushdo që të jetë pozitë dhe opozitë, lider partiak, deputet apo bartës i institucioneve, apo njerëz që punojnë në institucione, i jap. Në anën tjetër unë takoj njerëz të ndryshëm, të kategorive të ndryshme që përfaqësojnë komunitete krejt të ndryshme për të diskutuar dhe kur kërkohet ndonjë rekomandim nga ana ime unë nuk hezitoj që të jap”.