Thaçi: Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë

I Dërguari i Posaçem i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell, përmes një postimi të bërë në Twitter ka konfirmuar se më 27 Qershor nis dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka shkruar se ka marrë angazhim nga të dyja shtetet për ta filluar dialogun dhe për t’u ndalë fushata e mosnjohjes,


Derisa, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se mirëpret ftesën për rifillim të procesit të dialogut në normalizim të marrëdhënieve.

Ai tutje thotë se Kosova është e gatshmë për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë.

Ky është postimi i plotë i presidentit në FB:

Udhëheqja e proceseve të mëdha politike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë përcaktuese për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj.

Si President i Republikës së Kosovës e mirëpres ftesën për ta rifilluar procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si dhe të dërguarit special të tij ambasadorit Richard Grenell.

Kosova është e gatshme për të arritur marrëveshje historike paqësore me Serbinë, njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike.

Tani i takon institucioneve të Republikës së Kosovës që të tregojnë mençuri dhe maturi në ndërtimin e unitetit dhe koordinimit me partnerët tanë strategjikë dhe të përkushtohemi që ta përmbyllim me sukses këtë proces.