Thirrjet e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme nuk e kanë vënë në lëvizje presidentin Thaçi, i cili duhet të zhvillojë konsultat me subjektet politike dhe koalicionin qeverisës.
Kjo është procedura kushtetuese që duhet ndjekur para se të shkohet në zgjedhje të parakohshme, përderisa Kuvendi nuk e shpërbën vetveten me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas burimeve të gazetës, presidenti Thaçi edhe së paku dhjetë ditë nuk do të marrë vendim për zgjedhje. “Po e pret mbajtjen e Kuvendit zgjedhor të LDK-së”, ka thënë një burim.
Zgjedhjet për kryetar të LDK-së do të mbahen më 3 gusht. Rreth kësaj, gazeta ka adresuar pyetje në Zyrën e presidentit, por ka munguar përgjigjja. Prej dy ditësh, Zyra e presidentit nuk ka dhënë asnjë informacion se kur do të nisin konsultat me partitë dhe sa do të zgjasin ato.
Por deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se zhvillimet brenda partisë së tyre nuk janë punë e presidentit, “dhe ai duhet të rrijë larg tyre”. Sipas saj, deri të mërkurën nuk u ka shkuar asnjë kërkesë për konsultime.