Thaçi: Gjendja aktuale është tejet shqetësuese

Presidenti, Hashim Thaçi përmes një postimi në Facebook ka thënë se gjendja aktuale është tejet shqetësuese, teksa kërkon kujdes maksimal nga të gjithë.

Ai bën thirrje që të zbatohen në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe të respektohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore,

“Qytetarë të dashur,

Në javën e fundit kishim rritje të madhe të numrit të të prekurve me virusin COVID-19. Gjendja aktuale është tejet shqetësuese dhe kërkohet kujdes maksimal nga të gjithë.

Ju bëj thirrje që t’i zbatoni në mënyrë rigoroze masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 dhe t’i respektoni rekomandimet e institucioneve shëndetësore. Duke i zbatuar masat dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore secili qytetar ruan veten, të afërmit e tij dhe gjithë shoqërinë.

Si president i vendit shpreh falënderim të madh për gjithë personelin shëndetësor, i cili po e jep maksimumin në këtë betejë të përditshme për ta shpëtuar çdo jetë njeriu. Po ashtu, u shpreh ngushëllime të sinqerta të gjitha familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre nga ky virus vdekjeprurës”, shkruan presidenti.